Fjalim

Mungesa e rezultateve dhe llogaridhënies: monitorimi i rasteve të korrupsionit në sistemin prokurorial dhe atë gjyqësor të Kosovës

Dje, Ambasada Britanike shënoi përfundimin e projektit trevjeçar të monitorimit të rasteve të korrupsionit në sistemin prokurial dhe atë gjyqësor. Me këtë rast, Instituti i Kosovës për drejtësi, si implementues i këtij projekti lansoi Raportin vjetor. Ambasadori britanik Ruairí O'Connell iu drejtua zyrtarëve te sektorit të drejtësisë në Kosovë, me këtë fjalim.

Kjo u botua nën 2016 to 2019 May Conservative government
Ruairí O’Connell OBE

I nderuar z. Tahiri, E nderuar znj. Haxhiu, I nderuar z. Musliu, I nderuar z. Qalaj, I nderuar z. Çocaj, I nderuar z. Hyseni,

Të nderuar Kryetarë të Gjykatave, Kryeprokurorë, gjyqtarë, prokurorë, përfaqësues të institucioneve publike, përfaqësues të medias, shoqërisë civile dhe ju të gjithë të pranishëm. Kjo tryezë, si rrallë herë, ka kaq shumë panelistë.

Më lejoni të falenderoj IKD për punën që e kanë bërë deri tash nga projekti i financuar i Ambasadës Britanike. Dhe shpresoj që më lejoni të jem pak më i drejtpërdrejt sot. Kjo vjen nga dashuria ime për Kosovën.

Në vazhdimësi Ambasada Britanike dhe unë personalisht kemi përcjellur zhvillimet në sistemin e drejtësisë në Kosovë. Mungesa e rezultateve, pandëshkueshmëria, mos-reagimi dhe mungesa e llogaridhënies mbeten problemet kyçe. Të njejtën e dëshmojnë raportet si vendore ashtu edhe ndërkombëtare.

PSE, shtrohet pyetja? Pse nuk po ndëshkohet krimi i randë në Kosovë? Ju të gjithë këtu në baza ditore merreni me këtë punë. Ju lutem, na tregoni neve por edhe qytetarëve tuaj se pse nuk po ndëshkohet korrupsioni? Ku qëndron problemi? Si ka mundësi që asnjë rast i profilit të lartë nuk u ndëshkua me burgim efektiv për shkak të korrupsionit apo krimit të organizuar? Pse qytetaret e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtar të Kosovës e shohin korrupsionin, e jo organet e ndjekjes?

A kemi të bëjmë me mungesën e guximit, me mungesën e kompetencës apo me kapjen e sistemit nga politika apo interesat e grupeve të caktuara? Mendoj, që asnjëra nuk është e pranushme per popullin e këtij vendi, në emrin e të cilëve ju e ndani drejtësinë. Nuk mund ta pranon as komuniteti ndërkombetar. Kemi investuar shumë në këtë vend. Ne po punojmë fort dhe duam shumë që shteti i Kosovës të ketë sukeses. Ne nuk duam ta pranojmë dështimin.

Ky vend ka nevojë të ketë adresë ku duhet drejtuar. Këtu me tepër po flas për prokurorinë. Kompetencat e sistemit prokurorial janë tejet të decentralizuara, lidhur me marrjen e përgjegjësive për dështim dhe shumë të centralizuara për të marrë merita. Ku po mbetet llogaridhënia? A mund ta dimë cila është adresa ku qytetarët mund të ankohen? Ku duhet të adresohet brenga e qytetarëve?

A ka kushte për sukses? Ligjet jane përmirësuar vazhdimisht, sot për sot, nuk janë problem ligjet për ta luftuar me efikasitet korrupsionin dhe krimin e organizuar; E as kushtet e punës në prokurori dhe gjykata. Edhe sa i përket pagave, të gjithë e dimë që ju jeni zyrtarët më të paguar në Kosovë.

Natyrisht, ne vazhdojmë të kërkojmë prej politikës që mos të ndikojë në sistemin e drejtësisë, duke u përfshirë në emërimin e prokurorëve dhe gjykatësve, Kryeprokurorëve e Kryetarëve të Gjykatave, të cilët janë të dëgjueshëm apo shantazhueshëm. Duhet ta lën të pavarur sepse vetëm në këtë mënyrë do të ketë rezultate, do të luftohet kriminaliteti dhe do të ketë drejtësi për qytetarët.

Me ne sot, është Ministri i Drejtësisë, i cili ka marrë një hap për rishikimin e tërë sistemit të drejtësisë. Në e vlerësojmë këtë proces si shumë të rëndësishëm dhe jemi duke e mbështetur tash e dy vite. Unë shpresoj që ky proces do të ketë rekomandime dhe që ato të adresohen sic duhet e jo të mbetet edhe një Strategji tjetër në sirtarin tashmë të stërmbushur me Strategji të ndryshme për sistemin e drejtësisë.

Përgjegjësinë e keni ju. Nuk i takon më askujt tjetër pos jush. Kam thënë edhe më herët por po e përseris prapë – Bashkësia ndërkombëtare kërkesën e ka shumë të qartë për Kosovën – Kosova nuk mund të jetë strehimore e korrupsionit dhe e krimit të organizuar.

Në një vend në Evropë, sic është Kosova, ku paratë nga korrupsioni mund të pastrohen, mund të ketë strehimore për fenomenet e liga, përbën rrezik jo vetëm për shoqërinë në Kosovë, por edhe për ne dhe për Evropën. E tash e kam edhe një pyetje! Cka ju merr mendja, deri kur mund të vazhdoj Kosova ta ketë përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare kur vazhdon ta dëshmojë mungesën e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit?

Është koha e fundit që zyrtarët me integritet të kontestuar të ecin nga pozitat dhe të ndiqen për veprimet e tyre. Në këtë drejtim, lëvizjet në policinë e Kosovës për të sjellë në pozita kyce zyrtarë policor me integritet janë të mirë pritura dhe prej tyre presim që do ta dëshmojnë vetën në luftimin e kriminalitetit, sidomos korrupsionit dhe krimit të organizuar

Ndryshime, të tilla i duhen policisë, prokurorisë dhe gjyqësorit. Ato duhet të burojnë nga vetë zyrtarët me integritet që janë në pozita drejtuese. Politika duhet të mbajë duart larg nga policia, prokuroria, gjyqësori dhe instiucionet e pavarura publike.

Nuk po e zgjasë më shumë sepse nuk ka kohë. Nuk ka kohe me edhe per Kosoven dhe sistemin e drejtesise. Kam thene disa here qe ka gjyqtarë dhe prokurorë që duhet dhe mund te behen heronjet e ri te Kosoves. Duhet ta tregojnë veten!

Updates to this page

Publikuar 12 Mars 2019