Një nga tregimet e suksesit të biznesit të Britanisë në Shqipëri
Fjala e ambasadorit britanik Nicholas Cannon gjatë inaugurimit të zyrave të reja të një kompanie farmaceutike britanike në Tiranë.
Është një kënaqësi e madhe për mua të jem i pranishëm në hapjen e këtyre zyrave të reja mbresëlënëse të Glaxo Smith Kline. Glaxo Smith Kline është një nga tregimet e suksesit të biznesit të Britanisë. Ajo është tani kompania e katërt më e madhe farmaceutike në botë në aspektin e shitjes, dhe një nga dhjetë kompanitë kryesore, në drejtim të kapitalit, të listuara në bursën e Londrës. Ajo punëson gati njëqind mijë punonjës në botë, me më shumë se dymbëdhjetë mijë që punojnë në kërkim dhe zhvillim. Markat e saj përfshijnë disa, si “ Pluhurat Beechams “, që kanë qenë të njohur mirë në Britani për më shumë se një shekull, dhe të tjera që reflektojnë kërkimet më moderne farmaceutike. Glaxo Smith Kline është e njohur për qëndrimin e saj parimor ndaj përgjegjësisë korporative sociale, në veçanti nëpërmjet zhvillimit të barnave me kosto të ulët që synojnë reduktimin e malaries dhe dhurimin e ilaçeve kundër sëmundjes tropikale filiarisis. Kompania reflekton forcen tradicionale britanike në fushat e kërkimit shkencor dhe zhvillimit, dhe vlerat tona të biznesit të ndershëm dhe transparent.
Është e njohur mirë se në çdo vend industria farmaceutike vepron në një ambient veçanërisht të vështirë shkencor, ligjor, rregullator dhe financiar. Shëndetësia është një zonë veçanërisht e ndjeshme për publikun, dhe mbulimi mediatik i industrisë nuk është gjithmonë i drejtë. Ekziston një ekuilibër delikat midis, nga njëra anë, sigurimit te ilaçeve të efektshme dhe të lira për publikun, dhe nga ana tjetër, një fitimi të drejtë për investitorët për të justifikuar shpenzimet e mëdha të hulumtimeve farmaceutike dhe riskun e lartë. Nga ana e tyre, autoritetet rregullatore duhet të sigurojnë një ambient të drejtë, objektiv dhe të parashikueshem ku kompanitë farmaceutike mund të punojnë. Profesioni mjekësor gjithashtu ka një përgjegjësi për të rekomanduar ilaçe me mençuri, brenda udhëzimeve më të mira mjekësore, dhe për të siguruar që furnizimi i barnave është i kontrolluar në interesin më të mirë të pacientëve dhe taksapaguesit. Prania e Dr Kosovës, Ministri i ri i Shëndetësisë, më jep një mundësi për të lavdëruar përpjekjet e tij të palodhshme dhe lidershipin e fortë qe ai po tregon për të luftuar keqadministrimin në sektorin publik shëndetësor.
Në Shqipëri, Glaxo Smith Kline është zgjeruar nga fillimet modeste të vitit nentedhjete e dy, në një kompani të konsiderueshme sot, me njëzet e dy punonjës që mbulon aktivitete të shumta që nga importimi dhe shitja e një game të gjerë produktesh, në veçanti ilaçe me recetë dhe vaksina, mbështetje për edukimin mjekësor dhe konferenca, punë per mjedisin rregullator, dhe hetime mjekësore dhe studimin e epidemive. Kompania ka qenë ndihmë e madhe për Ambasadën time duke na informuar për sfidat me të cilat përballet biznesi britanik në Shqipëri dhe problemet në klimën e biznesit. Unë shpresoj se ne kemi qenë dhe do të vazhdojmë të jemi, në ndihmë të Glax Smith Kline në përfaqësimin e shqetësimeve te kompanisë tek qeveria shqiptare, ndërkohe që Shqipëria vazhdon të harmonizojë legjislacionin e saj dhe procedurat me ato të Bashkimit Evropian.
Qeveria në Londër, të cilën unë e përfaqësoj këtu në Shqipëri, është e angazhuar fuqimisht në zgjerimin e tregtisë britanike dhe investimeve jashtë Mbretërisë së Bashkuar. Kështu që unë jam veçanërisht i kënaqur me suksesin e Glaxo Smith Kline në tregun shqiptar. Ky është një treg i vogël, por me potencial rritje të konsiderueshme. Unë shpresoj se shumë kompani të tjera britanike do të mësojnë nga Glaxo Smith Kline dhe të frymëzuar nga suksesi i saj do të hyjnë në tregun Shqiptar.