Reforma e gjyqësorit në Shqipëri
Fjala e Ambasadorit ne forumin publik konsultues mbi reformën e gjyqësorit në Shqipëri
Jam i nderuar që m’u kërkua të them dy fjalë në hapjen e kësaj tryeze këshillimi mbi reformën në drejtësi. Reforma është një proces i rëndësishëm dhe i vështirë. Do të përfshijë diskutime të detajuara në lidhje me aspekte teknike, politike dhe kushtetuese. Do të përfshijë pikëpamje të ndryshme, kompromise dhe vendime të vështira. Zgjidhja përfundimtare do të duhet të arrihet nga shqiptarët, e t’i përshtatet mjedisit shqiptar. Sigurisht, ekspertët e huaj mund të ofrojnë këshilla dhe mbështetje. Por në fund, janë shqiptarët ata që do të duhet të vendosin. Prandaj nuk më takon mua të them se çfarë forme duhet të marrë reforma. Por dua të them disa fjalë se përse mendoj që ajo është e nevojshme.
Gjatë viteve të fundit, në zemër të gjyqësorit shqiptar është ngritur një klikë gjyqtarësh tejet të korruptuar. Këta individë veprojnë në grup, duke e përdorur sistemin gjyqësor si një biznes fitim-prurës, duke blerë dhe shitur drejtësi. Ata mbështesin njëri-tjetrin kur sfidohen nga forca më të ndershme të botës ligjore. Individë të korruptuar janë në pozicione nga ku kontrollojnë emërimin, transferimin, promovimin dhe disiplinimin e gjyqtarëve të tjerë. Ata pra, kanë mundësinë të prishin të gjithë sistemin gjyqësor për qëllime korruptive.
Korrupsioni në gjyqësor e bën të vështirë luftimin e praktikave korruptive në fusha të tjera të qeverisë ose shoqërisë. Sado efikase të jenë hetimet e policëve apo prokurorëve, përpjekjet e tyre nuk mund të arrijnë rezultatet e duhura nëse vetë gjykatat janë të pandershme. Gjyqtarët e korruptuar dhe të paparashikueshëm ia vështirësojnë punën investuesve të huaj dhe sipërmarrësve vendas. Në këtë mënyrë ato pengojnë investimet dhe hapjen e vendeve të punës për të cilat ka kaq shumë nevojë vendi. Mungesa e qartësisë rreth titujve të pronësisë pengon zhvillimet në sektorin e turizmit. Gjatë dy viteve të fundit, kemi parë madje që gjyqtarë të korruptuar kanë penguar përpjekjet e policisë për të ndërmarrë reforma të nevojshme sociale si për shembull përmirësimet në trafik dhe parandalimin e armëmbajtjes në publik. Edhe lufta kundër trafikut të drogës dhe krimit të organizuar ëshë penguar.
Komisioni Evropian e ka identifikuar korrupsionin në gjyqësor si pengesën numër një të progresit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Pa reformën në drejtësi, procesi i anëtarësimit do të bllokohet përfundimisht. Nuk ka asnjë mundësi që ndonjë shtet anëtar i BE-së, sado dashamirës ndaj aspiratave evropiane të Shqipërisë, të mbështesë progresin drejt anëtarësimit pa një gjyqësor të reformuar.
Një grup i vogël njerëzish, ndoshta më pak se njëqind, po helmojnë mjedisin politik, social dhe ekonomik të Shqipërisë dhe po mbajnë peng të ardhmen e një kombi të tërë. Në një situatë ideale, gjyqësori do të gjente brenda vetes shtysën dhe motivin për t’u reformuar. Do të pastrohej nga elementët e korruptuar pa nevojën e presionve të jashtme ose të politikës. Figurat më të korruptuara në gjyqësor veprojnë nën dritën e diellit, madje pa e fshehur aktivitetin e tyre. Ata krenohen me pasurinë që kanë vënë duke blerë dhe shitur drejtësi, duke shitur vendime gjyqësore me po të njëjtën lehtësi me të cilën një tregtar shet një thes me patate. Emrat e tyre publiku i njeh.
Por, për fat të keq sistemi gjyqësor nuk është treguar në gjendje të pastrojë shtëpinë e vet. Mekanizmat për ta bërë këtë nuk duket se ekzistojnë. Burrat dhe gratë e ndershme në gjyqësor janë të pafuqishëm teksa shohin sesi situata dhe reputacioni i gjykatave përkeqësohet. Çdo përpjekje për të adresuar problemin ndeshet me thirrje ndaj pavarësisë së gjyqësorit. Por pavarësia e gjyqësorit nuk nënkupton pandëshkueshmëri: as gjyqtarët më të vjetër nuk qëndrojnë mbi ligjin.
Prandaj, një hetim i fortë dhe rigoroz mbi sundimin e ligjit në Shqipëri është bërë i pashmangshëm. Qeveria ime e mbështet fort nismën e kryeministrit Edi Rama për prezantimin e procesit të reformës në drejtësi. Ne mendojmë se procesi i reformës, drejtuar nga z. Fatmir Xhafaj, ka identifikuar me saktësi problemet në degët e ndryshme të sektorit ligjor. Hapi tjetër është të propozojë dhe diskutojë mbi reformat e përfshira legjislative dhe institucionale. Procesi final do ishte zbatimi i efektshëm i tyre. Synimi është që në këtë vend të krijohet një realitet ligjor i ri, më i ndershëm dhe më efikas. Qëllimi është të rindërtohet besimi i publikut në gjyqësor dhe në sistemin e drejtësisë shqiptare në tërësi.
Reforma reale duhet të ketë një fazë finale. Ajo nuk duhet nxitur në mënyrë që të mos bëhen shumë gabime. Por mbi të nuk mund të debatohet pafundësisht. Prandaj është e rëndësishme të ruhet ritmi i procesit. Tashmë është koha e duhur për një reformë tërësore në drejtësi në Shqipëri. Publiku e dëshiron këtë gjë. Pozita ndërkombëtare e Shqipërisë e kërkon një gjë të tillë. Ashtu siç tha Gorbaçovi për reformat ruse: “Nëse jo ne, kush? Nëse jo tani, kur?”
Është e rëndësishme që kjo reformë të ndërtohet me konsensusin më të gjerë të mundshëm të opinionit politik dhe mbështetjes institucionale. Prandaj, unë shpresoj që partitë e opozitës do të sjellin ekspertizën e tyre ligjore në këtë proces. Ka vend për debat dhe mospajtim. Padyshim, gabime janë bërë dhe do të bëhen. Sa më shumë mendime politike të ndryshme në këtë proces, aq më e lehtë është t’i korrigjosh gabimet. Teksa detajet e reformës duhet të jenë të hapura për diskutime dhe ndryshime, askush nuk duhet të presë vendosjen e vetos ndaj të tërë procesit. Mbështetja për reformën në drejtësi nuk duhet të mohohet për arsye politike që nuk kanë lidhje me vetë reformën. Kjo është një çështje e një rëndësie kombëtare dhe të gjithë duhet të luajnë rolin e tyre në adresimin e saj.
Ky process do të kërkojë padyshim, ribalancimin e institucioneve të ndryshme me rolet që secili luan në sektorin ligjor. Kjo nënkupton ndryshime kushtetuese. Ata prej nesh që e kalojnë jetën në një institucion të caktuar, shpesh nuk e kanë të lehtë me ndryshimet dhe janë të prirur të ruajnë rolet dhe pushtetin e tyre. Një gjë e tillë është e kuptueshme. Ata që punojnë brenda institucioneve shpesh janë në gjendje të shohin më qartë impaktin e paparashikueshëm që sjell ndryshimi. Por ata që punojnë brenda institucioneve duhet të jenë të kujdesshëm që të mos mbrojnë vetëm interesat e tyre. Reformat e mirëfillta kanë fitues ashtu si edhe humbës; ato janë gjithnjë të dhimbshme. Nëse nuk ka humbës dhe dhimbje atëherë nuk është reformë e mirëfilltë. Nëse reformat janë thjesht kozmetike dhe shërbejnë për të zëvendësuar një grup hajdutësh me një tjetër, publiku do ta kuptojë, ndërkombëtarët do ta kuptojnë dhe ata do dinë kë të fajësojnë.
Zoti Xhafaj dhe ekipi i tij kanë diagnostikuar sëmundjet në sistemin ligjor në Shqipëri. Ata tani duhet të planifikojnë ndërhyrjen e tyre, me mbështetje dhe ekspertizë sa më të gjerë. Pastaj ata duhet të operojnë, me kujdes por edhe me guxim, duhet të largojnë elemetet toksike nga sistemi duke shkaktuar sa më pak dëm të jetë e mundur. Pastaj ata duhet të sigurohen se sëmundja nuk do të kthehet më.
Është e rëndësishme për Shqipërinë dhe Shqipërinë në Evropë që ky proces të shkojë mirë.