Fjalim

Një raport i ri për integritetin e sistemit të drejtësisë në luftimin e korrupsionit në Kosovë

Fjalimi i Ambasadorit Britanik, Ruairí O’Connell në tryezën me titull ‘Integriteti i sistemit të drejtësisë në luftimin e korrupsionit’, e organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi me përkrahje të Ambasadës Britanike.

Kjo u botua nën 2016 to 2019 May Conservative government
Ruairí O’Connell OBE

I nderuar z. Peci,

I nderuar z. Idrizi,

I nderuar z. Musliu,

I nderuar z. Myftaraj,

Të nderuar kryetarë të gjykatave, kryeprokurorë, gjyqtarë, prokurorë, përfaqësues të institucioneve publike, përfaqësues të medias, shoqërisë civile dhe ju të gjithë të pranishëm. Ne jemi këtu dhe e dijmë pse jemi këtu. Eshtë bërë pak si traditë t’i diskutojmë këto raporte. Më vjen në një mënyre marre pas raportit të Ehatit me thënë që si Ambasadë Britanike dhe si Qeveri Britanike ne e kemi si prioritet luftimin e korrupsionit dhe forcimin e luftimit kundër korrupsionit në Kosovë, sepse krejt kemi dëgjuar për rezultatet, por ka ardhur koha, unë e kam të qartë, besoj që edhe ju e keni, që Kosova është qind për qind përgjegjëse për luftimin kundër korrupsionit.

Dalja e EULEX-it nga Kosova është diçka për t’u mirëprirtur, sepse është e qartë për ne të gjithë, edhe për qytetarët, edhe për miqtë ndërkombëtarë se kush e ka përgjegjësinë për këtë luftë në Kosovë. Përgjegjësia nuk është më e ndarë me institucionet dhe akterët e tretë. Lavdatat dhe kritikat ju takojnë vetëm juve. Dhe duhet të them diçka. Që bashkësia ndërkombëtare kërkon diçka nga Kosova. Nuk është një lutje, nuk është një ofertë prej nesh për me ndihmu Kosovën, por është kërkesë. Është kërkesë që Kosova mos të jetë çerdhe e korrupsionit dhe e krimit të organizuar. Sepse me pasë një vend ku paratë nga korrupsioni mund të pastrohen, mund të ketë strehimore, është rrezik për ne, është rrezik për Europën, dhe nuk do të pranojmë më. Dhe kjo do të thotë që është e rrezikshme për Kosovën. Nëse Kosova kuptohet të jetë jo në anën e drejtësisë por në anën tjetër, kjo do të ishte shumë e rrezikshme për Kosovën.

Prej vitit 2014, vazhdimisht kam qenë pjesëmarrës me të gjithë ju në këto tryeza. Kemi diskutuar shumë. Kemi kërkuar dhe kemi premtuar punë dhe rezultate. Por, cilat janë rezultatet deri tash? A ekziston një rast i profilit i lartë, i cili është dënuar me burg efektiv për korrupsion? Për fat të keq kemi dëgjuar që nuk ekziston as edhe NJË RAST. Me këso rezultate të pandëshkueshmërisë dhe dënimeve të tilla, po krijohet ambienti që korrupsioni të lulëzoj. Kosova e ka shumë të vështirë të përparojë, të ofrojë jetë më të mirë për qytetarët, zhvillim ekonomik dhe integrim në Bashkimin Evropian me një sistem të tillë.

Gjetjet e monitorimit po dëshmojnë se lufta kundër korrupsionit mbetet prioritet vetëm në letër. Gjatë këtyre tre viteve, sipas monitorimit, duket se gjykatat kanë trajtuar 58 aktakuza ndaj 67 personave të profilit të lartë. Në dëgjim të parë, duket diçka premtuese. Por kur shikon se te gjitha këto aktakuza janë aktgjykim lirues, është dëshpëruese. Cka nuk është në rregull? Ne e dijmë që ka korrupsion por duhet të pyesim pse nuk po ndëshkohet?

Diçka që mu duk interesant mua personalisht është statistika që tregon se vetëm 12 raste të profilit të lartë janë akuzuar gjatë kohës sa kanë qenë në pushtet ndërsa 55 raste tjera janë akuzuar vetëm pasi e kanë përfunduar mandatin. A do të thotë kjo që pushteti po shërben si mburojë ndaj ballafaqimit me gjyqësorin?

Prej të gjitha aktakuzave të gjykuara për korrupsion, del se në këto tri vite kemi vetëm një dënim me burgim të vërtetuar nga Gjykata e Apelit dhe atë ndaj ish-kryetarit të Kllokotit. Por edhe ky dënim është me kusht!

Kam parë edhe në raport, performancën e secilit prokuror, prokuror special, gjykatës të shkallës së parë dhe të shkallës së dytë se si i kanë trajtuar rastet e korrupsionit. Nuk dua të komentoj individualisht, mund t’i lexoni vet. Si shpjegohet kjo që asnjë aktakuzë e profilit të lartë nuk ka arritur të vërtetohet nga gjykata? A po ngriten qëllimisht nga prokurorët këto aktakuza ndaj profilit të lartë për të bërë lojëra politike ose ka ndonjë problem me gjykatësit, a ka problem me mungesën e guximit? Kur do i vie fundi kulturës së pandëshkueshmërisë? Sepse kjo është dëshmi që ekziston kultura e pandëshkueshmërisë dhe kjo nuk mund të vazhdohet më.

Nuk besoj që ka më hapësirë për ankesa. Kushtet e punës nuk janë të këqia tani. Kosova ka ligje të mjaftueshme, por çka mungon është zbatimi. Dhe ky është problemi i Kosovës.

Nëse ndikimet politike janë aq të pashmangshme saqë nuk po arrini t’i zbatoni ligjet për t’i luftuar politikanët e korruptuar, është koha të lëshoni rrugë. Është koha për ata heronj të drejtësisë, për të cilët ka tri vite që po flas, dhe shpresoj që janë prezent në këte dhomë, të dalin. E di që ka shumë policë, prokurorë, gjykatës, të pastër, meritor, profesionist, të pavarur, të ndershëm, të guximshëm, dhe është koha për ata, për ju, të dalin në sipërfaqe.

Në njërën prej tryezave, kohë më parë, kemi diskutuar edhe për atë se a ka nevojë që të gjithë gjykatësit, prokurorët dhe policët të futen në procesin e verifikimit të detajuar të kaluarës së tyre.
Ne e dijmë që pjesa dërrmuese e qytetarëve nuk besojnë në sistemin e drejtësisë dhe nuk janë të kënaqur me shërbimet që ofron ky sistem. Ne kemi diskutuar në këtë drejtim, për nevojën e një sistemi të integritetit. Nuk dua të flas për vetting. Vetting-u është një proces. Por, për mua është shumë e qartë që çdo shtet, jo vetëm Kosova, por çdo shtet në botë, ka nevojë për një proces, një mekanizëm, një strukturë, që mund të vërtetojë që sistemi i drejtësisë funksionon me integritet. Jo vetëm me profesionalizëm, jo vetëm me kualifikime, por me integritet të vazhdueshëm. Dhe kjo nuk është problem vetëm në Kosovë. Secili shtet ballafaqohet me këto probleme. Nuk dua të fajësoj askë, por mendoj që problemi ka qenë që për 20 vite mbas luftës, asnjë organizatë nuk e ka furnizuar Kosovën me një strukturë të tillë. Mendoj që kjo do të ndihmonte shumë. Pra, për ne është kënaqësi që bashkëpunojmë me Ministrinë e Drejtësisë me projekte të mëdha, sidomos në këtë fushë. Jo për t’i imponuar diçka Kosovës, por për të ndihmuar strukturat, këshillin prokuorial, këshillin gjyqësor, ministrinë, sistemin gjyqësor, me sistemet, me mekanizmat që Kosova mund t’i drejtojë, për të cilat Kosova ka nevojë. Ne mund të ju ndihmojmë si partnerë ndërkombëtarë. Por këtë vit ka shkuar koha, kur ne si ndërkombëtarë do të mbajmë përgjegjësinë. Pra, ne do të qëndrojmë pranë jush. Sepse është interes shtetëror i Britanisë që Kosova të ketë sukses në këte luftë. Por, duhet tani që përgjegjësia e plotë të tregohet nga Kosova. Ne do të jemi aty për të ndihmuar. Por ka ardhur koha për rezultatet.

Faleminderit.

Updates to this page

Publikuar 4 Mars 2019